Saturday, March 1, 2008

GREKJA
Tregim


Çdo ditë, pasi kthehem nga puna, shkoj drejt e në mencë dhe, pasi ha diçka, të mbetur nga dreka, shtrihem një orë në dhomë, ku për rastësi unë rri i vetëm. Më pas dal shëtitje nëpër qytetin e vogël dhe ndalem në të vetmen lulishte. Atje pres të shikoj si ulet mbrëmja. Pres gjatë derisa vështrimi im nuk i dallon më siluetat e njerëzve. Atëherë kujtohem e kthehem sërish në dhomë…
Unë punoj në një ekspeditë gjeologjike larg shtëpisë, fle në një barakë afër stacionit të trenit dhe çdo çast më ngacmojnë nervat zhurmat e lokomotivave dhe vagonave. Ndofta kjo është arsyeja që mua më është bërë shprehi vetmimi.

Në shtëpi shkoj vetëm të dielave. Më presin të malluar nëna e vëllezërit, por edhe të vrarë shpirtërisht prej shqetësimeve të mia. Unë jam teknik shpimi… Në qytetin tim nuk ka të tilla punë, ndryshe nuk do të qëndroja këtu… Dhe gati sa s’plas nga vetmia…

"Përse nuk shkon ndonjë natë tek Nuredini, të thyesh mërzinë… E kemi kushëri dhe është njeri që nuk bezdiset. Me këtë veprim që bën ti, na largon nga miqtë. Që ta dish, më ka thënë se i ka mbetur ca hatri nga ty", - më tha një ditë vëllai…

Sapo kisha dalë nga lulishtja ndjeva një dorë që më kapi për krahu:
- Ja, së fundi të gjeta, sonte nuk ke si të më shpëtosh!

I njoha zërin… Ishte Nuredini… U përqafuam… Ende pa mbaruar përshëndetjen, nisa të justifikohem…

- Mos e zgjat! - ma preu. - Je më i vogël dhe ta kam falur.

Vetkuptohet, propozimin për të shkuar në shtëpinë e tij nuk e kundërshtova, por i thashë se më parë duhet të lajmëroja shokët që të mos më prisnin në mëngjes, pasi do të shkoja vetë në vendin e punës... Ashtu bëmë.

Me të shkuar në shtëpinë e Nuredinit u ngjitëm drejt e në verandën e katit të dytë, me vështrimin nga rruga. Ai nisi të fliste këndshëm dhe unë shpejt u ndjeva si në shtëpinë time… M'u kujtua vëllai… Përpara kishim gotat e rakisë dhe po i përpinim… Biseda sa vinte e bëhej më interesante… Bisedonim e qeshnim… Sikur jehonte e tërë shtëpia nga të qeshurat tona…

Befas u shfaq djali i Nuredinit, Avduli.
- Ka ardhur grekja, - tha ai.
- Pse nuk e ngjite sipër? - pyeti Nuredini.
- I thamë, por kundërshtoi, - ia ktheu djali.

Nuredini më kërkoi leje dhe zbriti poshtë… Unë mbeta vetëm… S’di se si, por një ndjenjë përbuzje më lindi për të porsardhurën… Ndofta fjala "grekia" pati fuqinë të më zgjojë përfytyrime të mbrapshta… Cinike… Ndofta rakia m'i ngatërronte paksa mendimet… M'u kujtuan përpjekjet e mia të shumta në Ambasadën Greke, në Tiranë, për të marrë vizë.

Minoritarët i merrnin vizat brënda javës dhe kalonin para nesh kokëlartë, duke na vështruar me shpërfillje. E mbanin veten për njerëz të zgjedhur, njerëz fatlumë... Pikërisht kjo mënyrë të vepruari hidhte copa akulli në zemrën dhe ftohte ndjenjat e miqësisë (unë kam disa shokë minoritarë)… Ndofta ardhja e saj në këtë moment, më prishi kënaqësinë e mbrëmjes... Pak më parë, pata shkuar në mëndje, se, në e mbajti Nuredini rakinë do e gdhinim dhe ja, ardhja e saj m'i prishi të gjitha…

Fjala "grekja", zgjoi tek unë edhe përfytyrime të tjera… M'u kujtuan masakrat, që iu bënë popullit çam… M'u kujtuan…

Rakinë nuk e preka më. E ndava mëndjen: "Nëse Nuredini kthehet së bashku me të, do të iki… Do iki tek dhoma ime e vogël… Atje, pranë stacionit të trenit…

Nuredini u kthye i shoqëruar nga "grekja". Unë u ngrita në këmbë. Zgjata dorën pa ia kthyer vështrimin. Rrija në këmbë si një njeri i harruar. Ajo e ndjeu qëndrimin tim.

- Ky është djali i Aliut, Nuredin? Ai për të cilin më fole më parë? - pyeti ajo me një çamërishte të kulluar.

Ndryshova menjëherë… M’u duk sikur dikush më qëlloi me pëllëmbë… Ngrita vështrimin. Vërejta një grua me një fytyrë të shëndetshme, veshur me një fusran të kaltër. Një gjerdan i florinjtë i harkonte qafën e bëshme. Mbi supe kishte hedhur një triko të bardhë si shkumë valësh. I buzëqesha, pa ditur si të veproja. Sofija (kështu quhej "grekja"), vazhdoi përsëri të flasë:

- Unë kam ardhur para disa ditësh nga Filiati. Babai im me babain tënd dhe të Nuredinit kanë qenë miq të ngushtë. Vërtet jemi të krishterë, por ama çamër jemi dhe ne… Në këto ditë të qëndrimit tim në Shqipëri, do të vij edhe në shtëpinë tënde, po ti kështu do më presësh?!

"E meritoja këtë goditje të dytë", - mërmërita dhe nisa të dënoja veten për të gjitha mendimet e mbrapshta që shkova në mëndje. Dhe në vend që t'i përgjigjesha me fjalë, zgjata dorën, mora shishen e rakisë, mbusha një gotë për Sofijen dhe e ftova të coknim gotat… Veproja sikur të isha unë i zoti i shtëpisë… Këto veprime i bëra në këmbë. Më pas u ulëm. E çfarë bisedash dhe ç'mall kemi zbrazur asaj nate. Vetëm ne e dimë, vetëm ne…

Namik Mane

No comments: