Monday, March 3, 2008

Nga Namik Mane

ÇAMËRISË

Këtë natë të ftohtë shkurti, 1)
U ngarkova:
Plot me farëza lirie
Dhe u nisa për tek ty,
Që të mbjell në tokën tënde,
Këto farëza, Çamëri.

Nga Kosova fishekzjarret
Dritë, ditë, ma bëjnë rrugën,
Ndaj dhe unë nuk njoh pengesa,
Shpejt e shpejt, po vij tek ty,
Moj dhimbshuria ime,
E pathinjura, Çamëri.

Më djeg gjoksi prej shumë vitesh
Nga një mall që s’ka përmasa…
Dhe në u thafshin oqeanet
Se nxëjnë dot këtë mallin tim,
Vetëm ti mund ta mbash brenda,
Në gjoksin tënd, moj Çamëri.

Hapi krahët, prite birin,
Po të vjen…
Do shkëmbejmë ne të dy,
Fjalë bese, këtë mbrëmje:
Do t’i mbush unë gjithë kullotat,
Plot e plot, me klumushtore,
Se të pjellat, do i kemi,
Shumë të mbara këtë vit,
Dil, moj Çamëri, më prit!

1). 17 shkurt 2008, dita e Pavarësisë së Kosovës.

Saturday, March 1, 2008

I treti
Tregim


Kthehesha rrugës së ngushtë të vreshtës. Ishte një mëngjes i mjegullt, i freskët, i lagët në të hyrë të pranverës. Shpejtoja hapat në rrugën e butë dhe tërë bar. Mbrëmë isha tek një mik dhe doja të mbërrija sa më parë në fshatin tim, që të arrija orarin e punës. Keni ecur ndonjëherë në mjegull kur vështrimi nuk arrin më larg se hapi yt? Dëshira të shtohet që të shohësh më shumë.

Me të tilla ndjenja po çaja vreshtën. Mbrëmë, unë, miku im dhe një i tretë të thuash se e gdhimë duke bërë një bisedë të imponuar, me optimizëm të shtirur. Ecja duke kujtuar fjalët tona.

- Sivjet rrushin e kemi të mbarë. Krasitjen ia kemi bërë të mirë dhe me kohë, - tha miku im.
- Krasitja është stoli, - i thashë unë.
- Stoli!? - u habit ai dhe vazhdoi:
- E dini çfarë thonë hardhitë? Punimet e tjera le të m’i bëjë kushdo, por krasitjen dua të ma bëjë pronari im.
- Ç’përgjigjeje, - tha i treti. - Kot nuk punon Bilali në sektorin e vreshtave.

Edhe mua përgjigjeja e tij m’u duk e saktë, por meqë nuk doja ta lëshoja veten dhe meqënëse nuk po e koptoja mirë gjendjen, vazhdova:

- Ama në dimër, ato vreshtat e tua janë të zymta, pa jetë dhe ngjajnë si drurë të thatë, të gjymtuar.
- Të zymta, pa jetë! - ma ktheu miku im. - Për mua edhe në dimër, hardhitë janë si ushtarë të radhitur, që presin të japin frutin e tyre.

Ai mbas pak hapi dritaren që shihte nga kodrat e vreshtave dhe lëshoi një mori fjalësh të tjera.

- Sa herë hap dritaren, qoftë dhe në dimmer, më deh aroma e Moskatit dhe Perlës.
- Ç’përgjigje, ç’kënaqësi të dëgjojsh këtë debat poetësh! - hovi i treti.

Fliste duke shprehur kënaqësinë me lëvizje gjymtyrësh.

I treti për mua qe krejt i panjohur. Ai hyri në dhomën e mikut tim dy, tre hapa mbas meje. Bëmë një prezantim të thatë: Ai ishte agronomi i sektorit dhe kaq. Nuk kërkuam të dinim më shumë për njëri tjetrin. Ndofta i treti mund të dinte diçka më tepër për mua. Ndërhyrja e tij lajkatare m’u duk e neveritshme, ndaj për t’ju larguar debatit, heshta, nisa të mendoj për vete dhe për mikun tim. Kisha shkuar atje atë mbrëmje për të fjetur tek miku dhe për të lexuar një dramë të porsakrijuar. "Kodra e perlave" titullohej drama. Ajo merrte shkas nga një ngjarje reale: Në rrugë, pranë parcelave me varjetetin e rrushit Perla, një djalë qëllon me pëllëmbë një vajzë. Miku im bënte qilizëm aty pranë. Me të parë atë skenë vrapoi dhe i foli me egërsi djalit.

- Është gruaja ime, - ia kishte kthyer edhe tjetri me inat.
- Edhe gruan tënde nuk do të lë ta qëllosh! - iu pat hakërruar miku im.

Kështu nis drama: Dy të rinjtë ishin të sapomartuar. Rridhnin nga një familje e deklasuar dhe qenë të internuar në sektorin Hamalle. Kështu kishin të njëjtin fat si unë dhe miku im. Një jetë të rënduar dhe brenga, me skena dhe prapaskena të ndryshme.

"Eja trishtim, o prehri i ëmbël, që nuk më braktise kurrë, o strehë e qetësisë sime," pat shkruar në një vjershë para disa ditësh miku.

Dhe po të nesërmen e asaj dite pata shkruar unë:

"Plagë kemi duart, plagë kemi zemrat dhe nata ka fshehur në ferrin e saj gjithë ëndrrat."
Kështu, me krijime të tilla, ushqenim njëri tjetrin.

Po tani?! Ç’tjetërsim?! Sikur nuk ishim ne, por dy njerëz të tjerë, me zemra dhe vështrime të ndryshme dhe ç’broçkulla i servirnim njëri tjetrit.

"Sa here hap dritaren më deh aroma e Moskatit dhe Perlës." Sa larg realitetit! Përballë dhomës së mikut tim, në një haur punonte Andoni, këpucari i sektorit. Shallëra, lecka, çizme, këpucë të vjetra gjëndeshin në atë haurin e tij. Doemos, kurrë nuk mund t’i shpëtojë dot asaj grahme erëvjellëse.

Ecja nëpër mjegull. Kalova parcelën me rrushin e varjatetit Perla. Flisja me vete. I treti ishte futur mes nesh si pykë dhe unë s’dija ç’të bëja: Ta nxirrja nga dhoma me shkelma? Pashë orën. Ishte njëmëdhjetë e natës. Më mirë fli, i thashë vetes, sesa të krijosh situata të tilla. Me të menduar kështu, u ngrita, mora dy batanije dhe me një ton inatçor:

- Dua të flë, - ngrita zërin.

U shtriva në një minder, duke e larguar pak mikun. Ndofta i treti ka cipë dhe largohet, më erdhi në mëndje. I treti nuk bëri as më të voglën lëvizje.

Unë përsëri ngrita zërin:
- Bilal, kam porosi të veçantë, nga Skënderi, në mëngjes mos harro të më japësh belin amerikan, mjaft ke punuar me të. Tani, natën e mirë, ju po deshët gdhijeni, - shtova pa e fshehur inatin.

Ende pa mbaruar unë, u dëgjua një zë gruaje dhe dera u hap. Një afro tridhjetë vjeçare, një grua bjonde, e bukur, tepër e bukur, u fut në dhomë.
-Mirëmbrëma! – përshëndeti ëmbël ajo.

Unë u ngrita gjysmëtrupi, s’dija ç’qëndrim të mbaja, thashë ashtu, jo pa një lloj drithërime:
- Mirëmbrëma!

Po gruaja të thuash s’më vuri re fare dhe krenare, mospërfillëse për ne, iu drejtua të shoqit:
- Sonde, këtu do të flesh?! Këtu nuk ka edhe vend.

Mua, të them të drejtën, seç më ngjalli një lloj pezmi pavëmendja e asaj bukurosheje, që se nga kishte mbirë ashtu kryeneçe, gati e paarritshme si një xhinde nate.
- Jo, moj e mirë, - ia ktheu i treti. - A mund të ndahesh kaq lehtë nga kjo shoqëri poetësh?

Ai lëvizi nga vendi, iu afrua bjondes dhe, si me përkëdheli, mu pranë veshit të saj, diç foli.

Miku im, duke përfituar nga rasti, ktheu fytyrën nga unë dhe me fjalë buzësh:
- Është spiun! - më tha. - Ki kujdes!

Këto përsërisja me mendje, teksa ecja nëpër mjegull. Zbrita kodrën e Perlatit. Fshati im, Hamalle, dukej dhe zhdukej. Në sup mbaja belin amerikan, që do t’ia çoja tim vëllai. Me të kishte bërë qilizëm afro një muaj miku im. E ka dyzetë centimetër të gjatë metalin beli dhe, ai që ka bërë qilizëm me të, ia di mirë vlerat, mendoja.

Teksa vazhdoja të ecja nëpër mjegull më bëhej se më ndiqte herë hija e frikshme e të tretit dhe herë imazhi ëmbëlsisht i pashqitshëm i bjondes së mesnatës.

Namik Mane
GREKJA
Tregim


Çdo ditë, pasi kthehem nga puna, shkoj drejt e në mencë dhe, pasi ha diçka, të mbetur nga dreka, shtrihem një orë në dhomë, ku për rastësi unë rri i vetëm. Më pas dal shëtitje nëpër qytetin e vogël dhe ndalem në të vetmen lulishte. Atje pres të shikoj si ulet mbrëmja. Pres gjatë derisa vështrimi im nuk i dallon më siluetat e njerëzve. Atëherë kujtohem e kthehem sërish në dhomë…
Unë punoj në një ekspeditë gjeologjike larg shtëpisë, fle në një barakë afër stacionit të trenit dhe çdo çast më ngacmojnë nervat zhurmat e lokomotivave dhe vagonave. Ndofta kjo është arsyeja që mua më është bërë shprehi vetmimi.

Në shtëpi shkoj vetëm të dielave. Më presin të malluar nëna e vëllezërit, por edhe të vrarë shpirtërisht prej shqetësimeve të mia. Unë jam teknik shpimi… Në qytetin tim nuk ka të tilla punë, ndryshe nuk do të qëndroja këtu… Dhe gati sa s’plas nga vetmia…

"Përse nuk shkon ndonjë natë tek Nuredini, të thyesh mërzinë… E kemi kushëri dhe është njeri që nuk bezdiset. Me këtë veprim që bën ti, na largon nga miqtë. Që ta dish, më ka thënë se i ka mbetur ca hatri nga ty", - më tha një ditë vëllai…

Sapo kisha dalë nga lulishtja ndjeva një dorë që më kapi për krahu:
- Ja, së fundi të gjeta, sonte nuk ke si të më shpëtosh!

I njoha zërin… Ishte Nuredini… U përqafuam… Ende pa mbaruar përshëndetjen, nisa të justifikohem…

- Mos e zgjat! - ma preu. - Je më i vogël dhe ta kam falur.

Vetkuptohet, propozimin për të shkuar në shtëpinë e tij nuk e kundërshtova, por i thashë se më parë duhet të lajmëroja shokët që të mos më prisnin në mëngjes, pasi do të shkoja vetë në vendin e punës... Ashtu bëmë.

Me të shkuar në shtëpinë e Nuredinit u ngjitëm drejt e në verandën e katit të dytë, me vështrimin nga rruga. Ai nisi të fliste këndshëm dhe unë shpejt u ndjeva si në shtëpinë time… M'u kujtua vëllai… Përpara kishim gotat e rakisë dhe po i përpinim… Biseda sa vinte e bëhej më interesante… Bisedonim e qeshnim… Sikur jehonte e tërë shtëpia nga të qeshurat tona…

Befas u shfaq djali i Nuredinit, Avduli.
- Ka ardhur grekja, - tha ai.
- Pse nuk e ngjite sipër? - pyeti Nuredini.
- I thamë, por kundërshtoi, - ia ktheu djali.

Nuredini më kërkoi leje dhe zbriti poshtë… Unë mbeta vetëm… S’di se si, por një ndjenjë përbuzje më lindi për të porsardhurën… Ndofta fjala "grekia" pati fuqinë të më zgjojë përfytyrime të mbrapshta… Cinike… Ndofta rakia m'i ngatërronte paksa mendimet… M'u kujtuan përpjekjet e mia të shumta në Ambasadën Greke, në Tiranë, për të marrë vizë.

Minoritarët i merrnin vizat brënda javës dhe kalonin para nesh kokëlartë, duke na vështruar me shpërfillje. E mbanin veten për njerëz të zgjedhur, njerëz fatlumë... Pikërisht kjo mënyrë të vepruari hidhte copa akulli në zemrën dhe ftohte ndjenjat e miqësisë (unë kam disa shokë minoritarë)… Ndofta ardhja e saj në këtë moment, më prishi kënaqësinë e mbrëmjes... Pak më parë, pata shkuar në mëndje, se, në e mbajti Nuredini rakinë do e gdhinim dhe ja, ardhja e saj m'i prishi të gjitha…

Fjala "grekja", zgjoi tek unë edhe përfytyrime të tjera… M'u kujtuan masakrat, që iu bënë popullit çam… M'u kujtuan…

Rakinë nuk e preka më. E ndava mëndjen: "Nëse Nuredini kthehet së bashku me të, do të iki… Do iki tek dhoma ime e vogël… Atje, pranë stacionit të trenit…

Nuredini u kthye i shoqëruar nga "grekja". Unë u ngrita në këmbë. Zgjata dorën pa ia kthyer vështrimin. Rrija në këmbë si një njeri i harruar. Ajo e ndjeu qëndrimin tim.

- Ky është djali i Aliut, Nuredin? Ai për të cilin më fole më parë? - pyeti ajo me një çamërishte të kulluar.

Ndryshova menjëherë… M’u duk sikur dikush më qëlloi me pëllëmbë… Ngrita vështrimin. Vërejta një grua me një fytyrë të shëndetshme, veshur me një fusran të kaltër. Një gjerdan i florinjtë i harkonte qafën e bëshme. Mbi supe kishte hedhur një triko të bardhë si shkumë valësh. I buzëqesha, pa ditur si të veproja. Sofija (kështu quhej "grekja"), vazhdoi përsëri të flasë:

- Unë kam ardhur para disa ditësh nga Filiati. Babai im me babain tënd dhe të Nuredinit kanë qenë miq të ngushtë. Vërtet jemi të krishterë, por ama çamër jemi dhe ne… Në këto ditë të qëndrimit tim në Shqipëri, do të vij edhe në shtëpinë tënde, po ti kështu do më presësh?!

"E meritoja këtë goditje të dytë", - mërmërita dhe nisa të dënoja veten për të gjitha mendimet e mbrapshta që shkova në mëndje. Dhe në vend që t'i përgjigjesha me fjalë, zgjata dorën, mora shishen e rakisë, mbusha një gotë për Sofijen dhe e ftova të coknim gotat… Veproja sikur të isha unë i zoti i shtëpisë… Këto veprime i bëra në këmbë. Më pas u ulëm. E çfarë bisedash dhe ç'mall kemi zbrazur asaj nate. Vetëm ne e dimë, vetëm ne…

Namik Mane
SILUETË NË DRITË – BILAL XHAFERRI

Trialog me poetin Namik Mane,
bashkëkohës dhe miku i Bilal Xhaferrit,
shkrimtarin Shefki Hysa dhe gazetaren Dylbere Dika

1

NAMIK MANE

Namik Mane u lind në mars të vitit 1942 në fshatin Koskë të Filatit të Çamërisë në një familje me tradita të mëdha atdhetare e kulturore, familje, që i përkiste një fisi të pasur ekonomikisht, që ndihmoi edhe në krijimin e shkollës së parë shqipe në vendlindje. Babai i tij, Ali Rustem Mane, njeri trim dhe i besës, la pas Koskën dhe, i detyruar prej masakrave zerviste, u vendos fillimisht në Shijak dhe ashtu si në Çamëri u morën me blektori. Në vitin 1946 kishin 560 krerë dele dhe për këtë pasuri të sapovënë i arrestuan Alinë dhe vëllezërit. Ishin familje antikomuniste dhe regjimi diktatorial nuk i shihte me sy të mirë, pavarësisht nga ndihmat e shumta që i kishin dhënë luftës antifashiste. Ishin strehuar dhe ushqyer shumë partizanë të çetës Çamëria në shtëpinë e tyre në Koskë. Midis tyre edhe drejtues kryesorë të lëvizjes komuniste, megjithatë asnjëherë nuk u vlerësuan për këtë ndihmë, përkundrazi u persekutuan sistematikisht.

Në vitin 1948 blenë një shtëpi dhe u vendosën në qytetin e Durrësit, ku vazhduan traditën prej blektori, derisa u shtetëzua gjithçka dhe ekonomia private u ndalua prej diktaturës.Shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen Namiku i kreu në Durrës. Kreu edhe shkollën teknike elektrike për të pasur një profesion, sepse e dinte që nuk do ta lejonin të vazhdonte shkollën e lartë. Filloi punë si elektricist në ndërmarrjen ushqimore deri në vitin 1968, kur e internuan në Hamalle të Durrësit.

Namiku, i ushqyer nga traditat më të mira të fisit të tij dhe të kulturës çame në përgjithësi, u shfaq që në fillim të viteve 60-të si një poet i talentuar me vjershat e para të botuara në shtypin letrar. Shokët dhe miqtë e tij të parë ishin poeti Bilal Xhaferri dhe letrarët e rinj si Moikom Zeqo, Bardhyl Agasi, etj.Në vitin 1967 anëtarësohet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndërkohë po përgatitej për shtyp nga shtëpia botuese shtetërore "Naim Frashëri" libri i tij poetik "Lirikat e ushtarit", të cilin ia pezullojnë për shkaqe politike, i hoqën dhe të drejtën e botimit nga të gjitha organet letrare, pavarësisht nga përpjekjet e shumta të miqve poetë për ta rehabilituar, veçanërisht të Dritëro Agollit, i cili në fillim të viteve 80-të arriti t’ia rikthente të drejtën e mohuar të botimit.

Në vitin 1968 në internim në Hamalle përfundoi edhe poeti Bilal Xhaferri dhe Namik Mania do t’i shtynte ditët e vuajteve së bashku me të për gati një vit. Filluan të punonin për të realizuar një nga projektet e tyre të hershme vëllimin e përbashkët poetik "Një siluetë në errësirë" dhe e përfunduan këtë libër, mirëpo nuk arritën ta botonin, sepse, në fund të muajit gusht 1969, Bilal Xhaferri u arratis nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe pas një qëndrimi të shkurtër prej disa muajsh në Janinë, mërgoi në SHBA.Pas mërgimit të Bilal Xhaferrit poeti Namik Mane sikur u ftoh me letërsinë dhe vetëm në vitin 1995 e harroi "mërinë" me të kur botoi vëllimin e tij poetik "Pjergulla e lotëve" kushtuar mikut të dikurshëm shkrimtarit të shquar Bilal Xhaferri, përgatitur për shtyp prej shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri".

2

SHEFKI HYSA

U lind në Ersekë më 20 korrik 1957 në një familje intelektuale.
Babai i tij, Mazari, ishte mësues me vllehtë atë periudhë dhe ndiqte shtegtimin e tyre baritor, veronte në malet e Gramozit të rrethit të Kolonjës, me qendër Ersekën, dhe dimëronte në Sarandë, duke mos iu ndarë shkollimit të fëmijëve çobanë.
Familjarisht banonte në Shalës të Konispolit. Nëna e Shefkiut, Bahrieja, ishte shtëpiake dhe shtegëtonte përkrah të shoqit që të kujdesej për familjen.
Shefkiu i përket një fisi të vjetër atdhetar të vendosur në Shalës të Konispolit rreth shekullit të 18-të, ndoshta në periudhën e muslimanizimit të kësaj krahine, sepse cilësohet si një ndër shtatë fiset e para themeluese të fshatit Shalës, sipas kujtesës popullore. Vetëkuptohet ishin fis i pasur, merreshin me blektori dhe bujqësi, kishin shumë pyje, kullota dhe toka buke, rrjedhimisht do të ishin dhe atdhetarë dhe do ta mbronin edhe me gjak shtëpinë e tyre, Atdheun – Çamërinë, nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.
Gjyshi i Shefkiut, atdhetari i shquar Shefki Hoxha (ishin edhe fetarë brez pas brezi prandaj mbanin edhe mbiemrin "Hoxha"), njihet si një ndër themeluesit e klubeve të para atdhetare të Konispolit dhe të Filatit, si financues i shkollave të para shqipe në zonën e Çamërisë (në Konispol, Filat e Gumenicë), dhe si kundërshtar i ashpër i të gjitha pushteteve, si me atë turk edhe më vonë me pushtetin mbretëror të Zogut.Në vitet 20-të Shefki Hoxha u shqua si demokrat, përkrahës i Nolit dhe i qeverisë së tij reformiste, pavarësisht nga fakti se mund t’i prekeshin pasuritë. Ishte kjo një nga arsyet që u burgos nga Zogu.
Madje për këtë arsye poeti popullor i zonës këndonte:

"Telegramet venë e vinë,
të ngrenë xhandarmërinë,
thonë për një rebelim,
Çamëria s’iu bindka Mbretit,
Naltmadhnisë së Tij Ahmetit.
Në Shalës muarr Shefkinë,
në Konispol Maze Haminë
dhe Xhafo Pandalejmoninë"…

Shefki Hoxha u sëmur në burgun e Lezhës dhe në vitin 1936 vdiq, si pasojë e lëngatave të burgimit. Babai i Shefki Hysës, Mazari, u përndoq si antikomunist nga diktatura, pavarësisht se shtëpia e tyre në Shalës ishte mbështetja kryesore e luftës, bazë partizane.
Në vitin 1960 Mazarin e larguan nga arsimi, për shkak të vëllait të tij nacionalist, Sadedinit, të pushkatuar pa gjyq nga komunistët më 13 nëntor të vitit 1943 në spitalin partizan të Theollogos.
Pra, më në fund familja e tyre ishte përfshirë nga mekanizmi i verbër i luftës së klasave, gjë që e cënoi rëndë edhe Shefkinë, pas vdekjes së babait, Mazarit, në vitin 1976.
Mazar Hysa, babai i Shefki Hysës, u nda nga kjo botë me shijen e një jete të hidhur në buzë. Megjithatë Shefkiu arriti të mbijetonte, falë genit që trashëgonte nga të parët e fisit.
Shkollën fillore e tetëvjeçare i kreu në fshatin Shalës të Konispolit.Shkollën e mesme bujqësore e filloi më 1972 dhe e përfundoi më 1976 në Konispol të krahinës së Çamërisë. (Pushteti komunist i asaj kohe e dërgoi me detyrim në shkollën bujqësore, jo në gjimnaz, për shkak të biografisë së "keqe", si fis me origjinë prej shtresave klasore të pasura antikomuniste dhe për faktin e xhaxhait të tij, Sadedinit, nacionalis i pushkatuar politik).
Pas dhjetë vjetësh përpjekjesh xheklondoniane në vitin 1985 arriti të siguronte një të drejtë studimi për letërsi në Univeristetin e Tiranës. Ishte këmbëngulja e shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, i cili nga pozitat e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si dhe në disa raste të tjera, si edhe në rastin kur i hoqën të drejtën e botimit poetit Namik Mane, iu imponua strukturave të pushtetit totalitar për të rishikuar biografinë e Shefkiut, që t’i jepej e drejta e mohuar për të studiuar në Universitet.
Në vitin 1989 u diplomua për gjuhë-letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë vazhdonte të shkruante dhe botonte tregimet e para dhe publicistikë.
Pra, më në fund Shefki Hysës i ishte vlerësuar talenti prej prozatori me individualitet krijues të spikatur, siç shprehej kritika për tregimet e tij të para lirike të mirëpritura nga opinioni letrar dhe lexuesit.
"Tregimtari im i dashur, me vrojtime të çuditëshme dhe ndjenja të holla; shkrimtar i çmuar gjithmonë nga unë e të tjerët", kështu shprehej Dritëroi entuziast për të ardhmen letrare të Shefkiut dhe nuk do të zhgënjehej.
Gjatë viteve 1991-97 ka punuar si gazetar në gazetën "Çamëria" dhe kryeredaktor në gazetat "Kombi" e "Dielli".
Ndërkaq ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë, botimeve dhe të marrëdhënieve publike e ndërkombëtare.
Që nga viti 1997 vazhdon të punojë në Administratën e Kuvendit të Shqipërisë.
Ka themeluar dhe vazhdon të drejtojë Shoqatën Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe Shtëpinë Botuese "Bilal Xhaferri".
Është sekretar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ka botuar "Turtullesha dhe djalli", tregime (1992), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri".
"Robër të paqes", roman (1994), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri".
"Parajsa e mallkuar", roman (1997), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri".
"Rrëfimet e një hajduti", tregime (1999), botim i shtëpisë botuese "Arbëria".
"Aromë Çamërie", tregime (2004), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri", ISBN 99927-960-1-4
"Mrekullitë e rreme", tregime (2005) botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri", ISBN 99927-960-0-6
Redaktor i "novelës" Lavirja e denjë për respekt" (1992), e shkrimtarit Zhan Pol Sartri.
Redaktor i romancës "Dashuri fatale" (1992), e shkrimtarit Alfred de Myse.
Redaktor i romancës "Dashuri e përgjakur (Përtej largësive)" (1992), e shkrimtarit Bilal Xhaferri.
Redaktor i romanit "Krasta Kraus (Ra Berati)" (1993), i shkrimtarit Bilal Xhaferri.
Redaktor i novelës "Kur dynden vikingët" (1993), e shkrimtarit Pjetër Arbnori.
Redaktor i romancës "Bukuroshja me hijen" (1994), e shkrimtarit Pjetër Arbnori.
Redaktor i vëllimit poetik "Pjergulla e lotëve" (1995), i poetit Namik Mane.
Redaktor i vëllimit me tregime "Një natë e zakonshme" (2003), i autorit Namik Mane.
Redaktor i romanit "Me putrat tona shetitëm botën" (2007), i shkrimtares Xhulia Xhekaj, etj., etj., botime e redaktime letraro-publicistike të vetat dhe të të tjerëve nga më të larmishmet.

Që nga viti 1995 vazhdon të botojë dhe të drejtojë si botues dhe Kryeredaktor të përmuajshmen "Krahu i Shqiponjës", revistë Politike, Kulturore, Letrare dhe Shoqërore, e botuar për herë të parë më 1974, në dy gjuhë, shqip e anglisht, si organ i Lidhjes Çame, në Çikago të SHBA.
Themelusi, botuesi dhe drejtuesi i saj i parë ishte Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident, i cili u lind më 2 nëntor 1935 në Ninat të Konispolit dhe pas një veprimtarie të madhe letraro-publicistike, vdiq në mërgim (i arratisur nga Shqipëria më 1969 si nacionalist antikomunist) më 14 tetor 1986 në Çikago të SHBA.
"Krahu i Shqiponjës" ishte një tribunë e mendimit të lirë demokratik me prirje thellësisht antikomuniste, antidiktatoriale e antienveriste, që synonte bashkimin e tërë forcave politike shqiptare në mërgim, unifikimin e mendimit, programeve dhe qëllimeve të tyre për një Shqipëri të Lirë Properëndimore.
Në faqet e revistës trajtoheshin gjerësisht problemet kombëtare shqiptare, veçanërisht çështja çame, problemi i Kosovës, i territoreve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, Shqipërisë, si dhe problemet e komuniteteve shqiptare nëpër botë e të Diasporës.
Bilal Xhaferri arriti të botonte 39 numra.
Që në vitin 1995 e në vazhdim "Krahu i Shqiponjës" vazhdon të botohet në Tiranë, si organ i Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri" (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) themeluar e drejtuar prej gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Shefki Hysa, i cili inicoi rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Bilal Xhaferrit si dhe lartësimin e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj figure të rallë të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste shqiptare.
Shefki Hysa, në cilësinë e Botuesit dhe Kryeredaktorit të kësaj reviste të përmuajshme, me kontributet e veta dhe të miqve të tij, ka arritur të nxjerrë më shumë se 80 numra dhe vazhdon me këmbëngulje ta mbajë lart këtë piedestal të mendimit të lirë në vazhdën e idealeve të Bilal Xhaferrit.
Ideali i tij: Çamëria dhe Shqipëria etnike.

3

DYLBERE DIKA

Dylbere Dika lindi në fshatin Dypjakë të komunës Sllovë të Dibrës më 4 shtator të vitit 1979.
Ajo është një ndër poetet dhe tregimtaret shqiptare më të talentuara të brezit të saj.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Venisht, tetëvjeçaren në Shumbat dhe të mesmen në Sllovë të Dibrës.
Është diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën e gjuhë-letërsisë.
Ka kryes disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve.
Ka punuar disa kohë si mësuese letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme të Sllovës dhe më vonë redaktore në shtëpinë botuese "Bilal Xhaferri".
Ka botuar dhe vazhdon të botojë poezi, tregime dhe publicistikë në shtypin letrar shqiptar. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë".
Tani është zëvendëskryeredaktore e revistës "Krahu i shqiponjës".
Disa nga krijimet dhe punimet e saj janë:
1. "Parajsa e shitur", vëllim poetik (2002), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri"
2. "Dhe dita vdes", vëllim me tregime (2003), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri"
3. Redaktore e vëllimit poetik "Klithmë shpirti" (2004), e autores Liri Hidërshaj
4. Redaktore e novelës "Mëkim shpirtëror" (2005), e Liri Hidërshaj, ISBN 99927-960-4-9
5. Redaktore e vëllimit poetik "Për pak lumturi" (2006), e autores Venka Capa
6. Redaktore e novelës "Rrëfimi" (2006), e autores Liri Hidërshaj, ISBN 99927-960-5-7
7. Redaktore e vëllimit me publicistikë "Dialog për paqen e pamundur" (2006), i autorit Hysen Haxhiaj, ISBN 99927-960-6-5
8. Redaktore e vëllimit poetik "Pikëllim familjar" (2006), e Mina Çaushi, ISBN 99927-960-7-
9. Redaktore e librit me artikuj studimorë "Dodona tempulli i lashtë i Shqipërisë" (2007), i autorit Rasim Bebo
10. Redaktore e novelës "Pendimi" (2007), e autores Liri Hidërshaj, ISBN 978-99943-969-3-1, etj., etj.

Dylberia: - Zoti Namik, dihet tashmë që keni qënë një nga miqtë më të afërt të Bilal Xhaferrit, për të mos thënë miku i vetëm i ngushtë me të cilin ai ndau vështirësitë e shumta të viteve të internimit të përbashkët, madje edhe gëzimet dhe brengat e ditëve të fundit, para se të mërgonte përgjithmonë nga Shqipëria. Ju lutem a mund të na tregoni se kur dhe si jeni njohur?

Namiku: - Ekzaktësisht nuk e mbaj mend datën dhe vitin e njohjes me Bilalin. Kujtoj pak a shumë se kjo njohje lidhet me vitet e para të përpjekjeve të mia në fushën e krijimtarisë letrare. Jemi takuar në Lidhjen e Shkrimtarëve me Bilalin dhe që në momentin e njohjes lidhja jonë erdhi duke u forcuar në një miqësi të rrallë, tejet të qëndrueshme. Ishte shtytja ime dhe e Gjergj Vlashit, që e detyroi Bilalin të vendosej me banim në Durrës. Fillimisht filloi punë në Shijak e më vonë në parkun e automjeteve të Durrësit.

Dylberia: - Ç’mbresa ju ka lënë miqësia me Bilalin?

Namiku: - Thashë se lidhja jonë ishte shpirtërore. Mundoheshim të plotësonim njëri tjetrin. Mjafton t’u sjell një fakt të gjallë që flet vetë. Një natë vendosa të shkoj për ta gdhirë me Bilalin, siç bënim shpesh duke diskutuar për letërsinë dhe për vjershat e shoku shokut. Vëllai më i madh më lutet që të nesërmen të merrja me vete edhe belin amerikan, të cilin ia kishte huajtur Bilalit për të punuar qilizëm tokën e vreshtave. Ishte periudha kur ndodheshim të internuar në Hamalle të Durrësit. Bilalin nuk e gjeta vetëm. Me sa duket partia shtet gjente gjithmonë mënyrën për të kontrolluar çdo lëvizje të të dyshuarve. Ishte një agronom që banonte ngjitur me shtëpinë e tij. Çuditërisht atë mbrëmje ne ishim të detyruar të silleshim si të huaj. U tjetërsuam krejtësisht. Nuk ishim mësuar të kishim nëpër këmbë një të tretë, që nuk na shqitej. Kaloi mesnata dhe ai nuk largohej. Erdhi gruaja për ta marrë, e mbaj mend si tani, një biondinë e hollë e gjatë, jashtëzakonisht simpatike, tepër kryeneçe, si një xhinde magjepsëse, e vetmja gjë e bukur e asaj nate, dhe ai nuk donte të largohej nën preteksin se ishte kënaqësi e rrallë ta gdhije në një shoqëri shkrimtarësh. Oh, ç’hipokritë jemi treguar atë natë! U munduam të ishim sa më bindës në sytë e tij, recituam për partinë dhe për komunizmin e ç’nuk sajuam të ishim sa më bindës në sytë e të tretit. Të nesërmen, ndërsa largohesha nëpër mjegull, me belin amerikan të tim vëllai në sup, sillja nëpër mend netët e tjera që kisha kaluar me Bilalin. Sillja ndërmend fytyrën e tij të vuajtur, atë Bilal të pamposhtur, që kishte mbajtur diellin mbi kurriz, vargjet e tij të rralla, veçanërisht thënien koka e E. Hoxhës si oturak, fluturoi nga Moska në Pekin dhe çuditesha si ishim tjetërsuar natën e shkuar, përballë hijes së një të panjohuri, mbi të gjitha komunist, i cili i prishi gjithë planet tona. Kishim ndërmend të lexonim dramën e Bilalit "Kodra e Perlave", por nuk bëmë gjë tjetër veçse u shtirëm. Bilali thoshte se sa herë hap dritaren më mbush aroma e Muskatit dhe Perlës, në një kohë që, në të vërtetë, dhoma mbushej me erën e rëndë të këpucëve të vjetra të barakës së këpucarit aty pranë, sepse ishte vjeshtë e vonë dhe vreshtave u ishte vjelë prodhimi, u kishin rënë edhe gjethet. Eh, nuk më hiqet nga mendja ajo natë. Me mbresat e saj kam shkruar tregimin "I treti", që ju e keni botuar në numrin e kaluar të revistës "Krahu i shqiponjës".

Shefkiu: - Namik, më thuaj të vërtetën, midis të tjerash që ju bisedonit përkundër regjimit komunist, a e keni diskutuar mdonjëherë ikjen e Bilalit apo ju e morët vesh pasi ai ishte arratisur nga Shqipëria?

Namiku: - Bilali u arratis nga fundi i muajit gusht të vitit 1969. Ti e di iku nga Janjari i Konispolit, një fshat buzë kufirit me Greqinë, disa kilometra larg Ninatit, vendlindjes së Bilalit. Je vetë nga ato anë dhe e ke vetë parasysh pozitën gjeografike të asaj zone. Kishim gjashtë shtatë muaj që thurrnim plane për arratisjen e tij, madje u sajua edhe një fejesë me një vajzë të atyre anëve për t’u justifikuar largimi nga vendi i internimit. Bilali mendonte se edhe po të ikte, dy motrat e tij do t’i largonin nga fshati buzë kufirit dhe për më mirë do të shkonin, sepse në atë fshat merrnin tridhjetë lekë të vjetra për ditë pune, kurse në vendin e internimit, pavarësisht se të mbikqyrura prej policisë, do të merrnin shumë më tepër, gjë që do të mund të ushqeheshin më mirë dhe vërtet ashtu ndodhi. Unë, përkundrazi, nuk mund të largohesha, se të afërmit e mi do t’i largonin nga Durrësi e kushedi se ku do të përfundonin, në ndonjë nga kampet e vështira të internimit. Dhe do të varrosja për së gjalli jo pak, por 56 vetë. Vetë punoja si elektiçist, por më vinte aq keq për nuset e vëllezërve që punonin në baltën e kënetës, me aq sakrifica. Megjithatë nuk doja të përfundonin edhe më keq. Kishim menduar edhe një plan tjetër më parë, që Bilali të arratisej me anijet e portit, kishim biseduar edhe me një marinar, mirëpo ishte rrugë e vështirë. Bilalit i duhej të qëndronte të paktën dy orë në ujë, gjë që nuk rezistonte dot me atë trup të lodhur shumë nga puna e rëndë fizike në kënetë.

Shefkiu: - A patët probleme pas arratisjes së Bilalit?

Namiku: - Padyshim që kisha probleme. Biografisë sime familjare si antikomunist, iu shtua edhe miqësia me të arrtisurin jashtë shtetit, me një të ashtuquajtur tradhtar dhe armik të betuar të partisë dhe komunizmit. Shtëpia jonë rrinte gjithmonë e rrethuar nga tre katër spiunë. Sa herë dilnim jashtë ata iknin me vrap e fshiheshin si të fantaksur. Megjithatë nuk më morën kurrë në pyetje. Mbaj mend se pak kohë pas arratisjes së Bilalit, desha të botoj një libër me poezi. Takova Dritëro Agollin dhe Anastas Kondon, i cili ishte sekretar i partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Më tha se kisha qenë miku i Bilal Xhaferrit dhe do të bëja mirë të kthehesha mbrapsht. Dhe nuk munda ta botoj. Vonë, shumë vonë m’u dha e drejta e botimit. Kur ai doli, Dritëroi më tregoi se Bilali kishte shkruar një reportazh "Nga Durrësi në Tiranë" shumë të ashpër, kundër pushtetit komunist. Vetë nuk e kam lexuar atë shkrim.

Shefkiu: - Cilët ishin letrarë të tjerë miqtë tuaj të asaj periudhe dhe a patën probleme ata?

Namiku: - Ishin të shumtë letrarët që e simpatizonin Bilal Xhaferrin, por ai mbante afër Moikom Zeqon dhe më pak Bardhyl Agasin. Unë isha rritur me ta dhe ishim miq. Mbaj mend se Moikomin e thërrisnim Tovi. Quhej Molotov, mirëpo kur erdhi në Tiranë për të botuar një libër, Kadareja i sugjeroi dhe e ndihmoi të ndërronte emrin, pasi nuk i lejohej të botonte me një emër të tillë, emër rus. Kështu, pra, Tovin e thirrën Moikom Zeqo. Kur Tovin e pyetën për Bilalin, pas arratisjes, ai qe përgjigjur: "E njoh si mik të Namikut, por ishte më i mirë se ai…"
Nuk di të jetë rënduar apo dënuar kush prej ikjes së Bilal Xhaferrit. Ai gëzonte respekt të madh gjithandej dhe askush nuk e kritikonte për veprimin, veçse pëshpërisnin me keqardhje, që humbi ai talent i jashtëzakonshëm.

Shefkiu: - Po me krijimtarinë e Bilalit, çfarë u bë pas arratisjes së tij?

Namiku: - Shkrimet ende të pabotuara të Bilalit më mbetën mua. I frikësuar prej ndonjë kontrolli të papritur, vendosa t’i varros për së gjalli në dhe. Dikush nga miqtë tanë më paralajmëroi se rrezikoja të përfundoja në burg, po të m’i gjenin ato shkrime.
Mbaj mend se më duhej të punësoja time motër. Shkova te kryetari i këshillit dhe ai sa më pa, meqenëse më njihte si fytyrë, më premtoi se do të më ndihmonte. Pimë edhe nga një gotë, por kur u kujtua dhe më pyeti për emrin u bë papritur esëll. Ti je miku i atij shkrimtarit të arratisur, më tha? Ruaju se po të gjetën edhe një nga vjershat e tij, e pësove. Kështu që desha s’desha i mbështolla shkrimet me një qese plasmasi dhe i futa në dhe për t’i nxjerrë andej pas gati njëzetë vjetësh. Ishin të mikura dhe të palexueshme prej lagështirës. Më erdhi keq se humba edhe vëllimin e përbashkët "Një siluetë në errësirë". Shpesh ne shkruanim poezi me të njejtën frymë revolte dhe kishim vendosur t’i botonim dikur në të njëjtin vëllim poetik, të cilin menduam ta titullonim "Një siluetë në errësirë" nisur nga titulli i një vjershe. Vargjet e asaj vjershe ishin, për sa mbaj mend: "Unë do ju shfaqem në errësirën me mjegull, profil i ngritur plot dhëmbje dhe përbuzje. Për mua s’do ju tregojnë gjë yjet, as erërat, as shndritjet e bronxëta të siluetës sime. Për mua do dëshmojnë vetëm plagët e mia, për mua do dëshmojë vetëm vdekja ime."

Shefkiu: - Keni pasur ndonjë kontakt me Bilalin pas arratisjes së tij nga Shqipëria?

Namiku: - Ishte e pamundur të kontaktoje me një të arratisur në ato vite, kështu që edhe unë s’i pata mundësitë. Madje, për të qenë tepër i sinqertë, nuk ma mbante as të pyesja për fatin e tij të mëtejshëm, trembesha. Ndonjëherë më vinte në vesh ndonjë informacion i pakonfirmuar dhe aq.

Dylberia: - Zoti Namik, për të qenë tepër e sinqertë, megjithëse kam qenë dhe mësuese letërsie, unë pak njohuri kam për veprën dhe jetën e Bilal Xhaferrit dhe kjo jo për fajin tim. Ndoshta për faj të institucioneve që hartojnë programet e shkollave, sepse në tekstet mësimore pak ose aspak flitet për Çamërinë dhe për çështjen çame, për historinë dhe letërsinë e saj, vetëkuptohet, pak ose aspak flitet edhe për Bilal Xhaferrin dhe për veprën e tij. Madje edhe në Universitet. Me sa di janë programuar vetëm pak orë mësimi, edhe ato lihen në dëshirën e mësuesit, në një kohë që flitet ende me aq pasion për shumë shkrimtarë të pavlerë të periudhës së socializmit. Do të desha të di diçka më shumë për krijimtarinë e Bilalit, mbase kështu do të kënaqni edhe kureshtjen e lexuesve. Ju kur e keni përmendur për herë të parë Bilal Xhaferrin dhe veprën e tij?

Namiku: - Vetëkuptohet se pas arratisjes së Bilal Xhaferrit as që bëhej fjalë të përmendej ai dhe vepra e tij. Heshtja e akullt rëndonte mbi të. Madje po harrohej. Vetëm në periudhën e pluralizmit guxuam të kujtrohemi edhe për figurën e Bilal Xhaferrit. Unë shkrova për herë të parë në gazetën "Drita" më 7 korrik 1991 dhe më vonë në gazetën "Çamëria" dhe në gazeta të tjera. Kanë shkruar edhe të tjerë, por meritën më të madhe për çvarrimin e figurës së Bilal Xhaferrit, nga varri i harresës, ku e kishin flakur censorët e komunizmit, si dhe për lartësimin e figurës së tij e ka Shefki Hysa. Ka bërë një punë titanike Shefkiu si me shtëpinë botuese "Bilal Xhaferri" edhe me shoqatën me të njëjtin emër, derisa e ringriti në nivelet që e meritonte atë figurë të shquar. Ishte puna e tij këmbëngulëse, që arriti të bindë strkturat e shtetit të ri demokratik për të finacuar veprimtarinë ceremoniale të kthimit në Atdhe të eshtrave të Bilal Xhaferrit, si dhe në dhënien e titullit "Martir i Demokracisë", prej Presidentit të Republikës. Dhe Shefkiu i përballoi i vetëm këto sfida nga Çikagoja e SHBA e deri në Tiranë e në Sarandë, ku prehen tashmë eshtrat e mikut tim të dikurshëm. Një punë të lavdërueshme Shefkiu ka bërë dhe bën edhe me revistën "Krahu i Shqiponjës", të cilën e ka botuar fillimisht Bilali në Amerikë. Shefkiu filloi ta botojë në Shqipëri dhe po bën të pamundurën për ta mbajtur gjallë këtë tribunë të shtypit të lirë ku ka folur së pari i jashtëzakonshmi Bilal Xhaferri. Ju, nëpërmjet kësaj reviste mund t’i bëni thirrje shtetit dhe strukturave të tij që t’i kushtojnë vëmendjen e duhur veprës së Bilal Xhaferrit, ashtu siç e meriton.

Shefkiu: - Të mbetemi te vepra e Bilal Xhaferrit dhe jehona e saj në Shqipëri dhe në trojet përqark, ku banojnë shqiptarë. Studiuesi kosovar Sabri Hamiti ka bërë një studim me vlera të rralla për këtë figurë: "Bilal Xhaferri – shkrimtar i etnisë". Fishta, Konica, Xhaferri, shprehen në Kosovë, si për një trini të shenjtë të etnisë shqiptare. Shiko, sa vlerësohet në Kosovë figura e Bilalit. Këtu, në Shqipëri, përkundrazi, flitet më pak, kur informacioni është i madh. Madje, ndonjëherë edhe dizinformohet për këtë figurë nga ndonjë studiues dhe ky dizinformacion përcillet edhe në Kosovë dhe gjektë. Një miku ynë shprehet në shkrimet e tij se Bilali iku në Amerikë, domethënë u arratis për të shprehur disidencën e vet. Madje unë e kam kundërshtuar në shkrimet e mia, nisur edhe nga fakti që Bilali guxoi dhe përdori si mbiemër letrar emrin e babait të tij, Xhaferrit, të pushkatuar si nacionalist antikomunist. Bilali ishte dissident, që në Shqipëri, them unë. Kjo duket po të analizosh edhe veprën e tij të botuar në ato vite. Cili është mendimi juaj?

Namiku: - Në një nga numrat e gazetës "Drita", janar 1995, me sa mbaj mend, kam botuar një shkrim "Korrigjime në biografinë e Bilal Xhaferrit dhe kam replikuar për këtë problem. Për mua është e pafalshme të thuash se Bilali u arratis për të shprehur disidencën e vet. Jo, ai ishte dissident këtu, në Shqipëri, që në ato vite. Kam parasysh faktin se ai e kishte babanë të pushkatuar si nacionalist antikomunist nga regjimi diktatorial shqiptar. Babai i tij quhej Xhaferr Hoxha. Po ç’bëri Bilali? Në vend të mbiemrit Hoxha, përdori emrin e babait si mbiemër letrar, siç shpreheni edhe ju, Shefki, në shkrimet tuaja.
Pra u vetëquajt Bilal Xhaferri, duke përjetësuar kështu emrin e babait të pushkatuar. Ky ishte një veprim i hapur prej disidenti. Ju do të thoni se nuk e dinin këtë fakt komunistët? E dinin, mirëpo talenti dhe fama e menjëherëshme e Bilalit ishin aq të mëdha, saqë nuk ngrente peshë ky fakt. Madje simpatia dhe dashuria e mjediseve letrare ishin kaq të mëdha për Bilanin, saqë minimizohej shumë problemi i biografisë së tij.
Kur do të botohej vëllimi poetik "Lirishta e kuqe" e Bilalit, mbaj mend një debat që u zhvillua midis Dhimitër Fullanit, shef i poezisë dhe Bilalit, në prani të Adriatik Kallullit, redaktor i librit. Bëhej fjalë për një vjershë, ku një ushtar i Skënderbeut, pas betejës së Torviollit, kërkonte trupin e babait të vrarë për ta varrosur. Dhimitri i thotë Bilalit se ne e dimë që ti e ke babanë të pushkatuar dhe në këtë poezi duket se aludon për veten, sikur je në kërkim të varrit të babait, prandaj duhet ta heqësh nga libri.
Lexova edhe parathënien e librit, që më dhe ti, librit me poezi të Bilalit "Eja trishtim" botuar nga Rilindja e Kosovës. Në atë parathënie profesori dhe studiuesi i nderuar Sabri Hamiti thotë se cezura letrare bazohej edhe në cmirën e shkrimtarëve. Kjo është e vërtetë, por jo plotësisht në rastin e Bilalit. Kanë qenë të shumtë shkrimtarët që e donin Bilalin. Mund të përmend Vath Koreshin, Dhimitër Verlin, Dalan Shapllon, Adriatik Kallullin, Trim Gjatën, Todi Lubonjën, Fatos Arapin, Dritëro Agollin e shumë e shumë të tjerë. Atë nuk e vrau cmira, por ideologjia dhe sigurimi i shtetit. Ishte e pafuqishme dashuria e shkrimtarëve për ta mbrojtur prej ideologjisë. Thuhet edhe se kryevjersha "Baladë çame" është botuar në vitin 1991. Nuk është e vërtetë. Është botuar që në vitin 1966 në "Zërin e Rinisë". Dhe të botoje një poezi si ajo në ato vite për Çamërinë ishte guxim i madh.

Shefkiu: - Kokëkrisje ishte të botoje "Baladën çame" në vitet e diktaturës. Keni shumë të drejtë. Unë e kam parë me sytë e mi të botuar, duke shfletuar koleksionet e "Zërit të Rinisë" të viteve 60-të. Dhe më ka lënë mbresa të jashtëzakonëshme ajo poezi, si një hymn i martrizimit të Çamërisë. Një poezi – hymn e papërsëritshme, si Marsejeza. Mjaftonte ajo poezi brilante dhe Bilali mbetej poet i madh. Botimi i veprës së tij të plotë, do t’ia nxirrte në pah gjithë vlerat, ashtu si rrezatimet e një prizmi prej diamanti gjatë rrotullimit, në dritën e diellit. Dhe atëherë do të shpalosej madhështia e tij e vërtetë. Mirëpo kjo kërkon ende kohë dhe mund. Botimi i veprës së plotë, do të shmangte përfundimisht edhe ndonjë tendencë të minimizimit të vlerave të Bilalit prej ndonjërit, si në Shqipëri, edhe në komunitetin shqiptaro – amerikan, në SHBA. Kur isha në Çikago, ku Bilal Xhaferri ishte vendosur së fundi dhe botonte "Krahun e shqiponjës", vura re cmirën e dikujt për të. Pse ndodhte kjo sipas mendimit tuaj?

Namiku: - Shiko, për mendimin tim sigurimi i shtetit shqiptar vepronte edhe në Diasporë dhe ndoshta njerëz të paguar janë munduar ta pengojnë Bilalin në veprimtarinë e tij letrare, t’ia ulin vlerat në sytë e komunitetit. Dhe pjesërisht ia arritën. Siç e dini dhe ju, i bënë dy herë atentat, pa arritur ta zhduknin fizikisht, i dogjën studion, e tjera të kësaj natyre. Saktësisht unë nuk e di se ç’ka ndodhur me të, por një gjë i kam thënë jo pa mllef një përfaqësuesi të komunitetit shqiptaro amerikan: Jua dërguam Bilalin shkrimtar të madh dhe na e kthyet kufomë.
Sidoqoftë Bilali ishte dhe mbetet shkrimtar i madh dhe vlerat e tij nuk mund t’i mohohen, përkundrazi koha do t’ia lartësojë edhe më shumë.

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetëmohimi" (Zhvillime të çështjes çame), Tiranë, 2008, i shkrimtarit Shefki Hysa