Monday, February 22, 2010

Namik Mane

VEZËT E PËLLUMBAVE

Tregim

(Kushtuar mikut tim, Shefki Hysës)

Po ju tregoj ashtu si më ka ndodhur, pa stisje, pa trillime, po ju rrëfehem për vullnetin tim të lëkundur, për atë paqartësi mendimesh që më lëviznin brenda trurit, për atë mëdyshje për t’u rregulluar…
I kisha mbushur dy vjet si refugjat në Itali, por prapë nuk po më zinte vendi: Në fillim u vendosa në Leçe, më pas në Frosinone pranë Romës, por pa mbushur gjashtë muaj u gjenda në Kampofeliçe të Palermos. Më pas shkova në Torino, Milano dhe së fundi u gjenda në Ravena. Ky qytet bregdetar diç më afroi me qytetin tim të lindjes, Durrësin, ndaj i thashë vetes: Më duket se e gjeta vendin… Nga gjuha italiane nuk më kishte mbetur në mendje asgjë. Ndofta ato lëvizjet e shumta, ato dialektet Jug e Veri m’i përzienin fjalët dhe unë humbja sigurinë e të folurit, ose ndofta, ai ndryshim pronarësh, ata njerëz të ndryshëm dhe punëra të ndryshme më kishin lëkundur sigurinë e të folurit.
Pronari im ishte një burrë i mbajtur. Kur shkova në Ravena, ai sapo kishte festuar 75 vjetorin e lindjes. E shoqja dukej sikur ishte e një moshe me të. Ata jetonin mes fushave në Lido Adriano, 5-6 kilometra larg Ravenës, në një shtëpi tip kështjelle me dritare të vogla si frëgji. Pronari zgjohej herët në mëngjes. Unë flija në një barangë disa metra larg shtëpisë, por ajo shpejt u kthye në një dhomë komode për mua. Për çudi unë e pronari u miqësuam shpejt me njëri–tjetrin. Punët e mia qenë të ndryshme: herë prashisja me shat të mbjellat pranë shtëpisë, herë i hipja traktorit të vogël dhe futesha në rreshtat e hardhive, bëja krasitje, spërkatja me helme, herë me një motokorrëse korrja bar, bëja mure, suvatime, lyeja me gëlqere, ndërroja abazhure, riparoja rubineta, lavamane. Të thuash, unë isha mjeshtri i të gjithave. Në pak muaj nisa të flas rrjedhshëm me ta. Çdo të shtunë të javës vinin dy vajzat e Xhorxhos (kështu quhej pronari) me fëmijët dhe burrat e tyre. Ata e vlerësonin punën time dhe shprehnin habi për aftësitë e mia. Vajzat më patën besuar prindërit e tyre.
Unë ndonjëherë ngrihesha dhe natën. Më dukej se në ato fusha, në ato shtëpi kështjella larg njëra-tjetrës, do behnin kalorës me parzmore dhe ushta dhe do sulmonin papritur, ndaj më duhej të kalitja veten, të isha i gatshëm për t’i mbrojtur ata. I them të gjitha këto, për ju lexues, se dua t’ju rrënjos bindjen se i besuari i vetëm isha unë.
Por jo gjithçka ma kishte besuar mua Xhorxhua. Hobin e tij e kishte ruajtur për vete: Ai ishte një koleksionist pasionant pëllumbash. Në oborrin e tij, nga mëngjesi në mbrëmje guisnin dhe vallëzonin dhjetëra këmbëlesh, kaçalytë, hundëderra. Xhorxhua hapte krahët dhe pëllumbat e mbulonin të tërin. Unë shihja me etje, pa folur dhe humbja në një mori kujtimesh. Nuk po shtoj asgjë. Unë kam qenë një nga rritësit dhe ndjellësit më me zë të qytetit tim, por asnjëherë nuk kisha folur me Xhorxhon për këtë se më dukej se do t’i merrja një pjesë kënaqësie.
Një ditë, ndërsa korrja barin e rritur të oborrit, nuk di si më erdhi, por nisa të gugas kaq ngrohtë dhe ëmbël sa nga supet e Xhorxhos nisën të lëviznin pëllumbat. Herë merrnin drejtimin nga unë, herë kheheshin prapë tek ai. Vazhdoja e vazhdoja guitjet dhe ata dreqër pëllumba e pëllumbesha u larguan nga supet e Xhorxhos dhe erdhën të gjithë tek unë. Ç’të bëja?!... E ndeza prapë motokorrësen dhe nisa nga puna...
Mëngjesin e nesërm edhe më e ëmbël m’u dha përshëndetja e Xhorxhos. Mbas atij çasti ne e shtuam edhe më shumë miqësinë. Në orët e lira flisnim gjerë e gjatë për kaçalytët, këmbëleshët e hundëderrat. I tregoja për bëmat e Timit, Skënderit e Bimit. I tregoja se si një herë kisha qepur gjoksin e çarë të një pëllumbi, i tregoja për pasionin tim, tërheqjen e pëllumbave, i flisja për fëmijërinë time, si i mbaja pëllumbat në gji dhe kur shikoja një shtëpi që kishte grumbull pëllumbash lëshoja pëllumbat tërheqës.
Një ditë, ndërsa unë flisja, Xhorxhua m’u kthye:
- A mund të tërheqësh pëllumbat e Aldos dhe Xhinos?
- Po, - thashë dhe zura ta sqaroja se duhej të kihej kujdes i madh për pëllumbat e tërhequr, duhej një aftësi e madhe për t’i ruajtur se të iknin.
Xhorxhua më tha:
- Ti bëj tënden, pjesa tjetër më takon mua.
Një ditë mora një çift hundëderrash dhe i lëshova në tufat e tyre. Duhet të dini: nuk është vjedhje tërheqja e pëllumbave, siç nuk quhet vjedhje, kur vjedh libra... Është një sport me kënaqësi të veçantë...
Me këtë sport vazhduam e vazhduam… Në rrethinat e Ravenës nisën të boshatisen kafazet. Pronarët e shqetësuar nisën t’u prisnin krahët pëllumbave…
Një ditë Xhorxhua më kërkoi t’i sillja një tufë pëllumbash nga Shqipëria dhe unë, pa u vonuar, ia plotësova dëshirën. Në fillim ne u premë krahët që çifti të mësohej me vendin, u bëmë edhe trajtim të veçantë në ushqim. Muajt e para pëllumbat guisnin dhe fluturonin gëzueshëm rreth nesh, largoheshin dhe ktheheshin njëherësh me tufën, por papritmas një ditë nuk u kthyen.
U shqetësova. Ata ishin pëllumbat e mi, ndaj nisa kërkimin... Mendova se pëllumbrritësit e tjerë po na kthenin kusurin, unë dhe Xhorxhua ua kishim borxh këtë. Kërkova e kërkova sa m’u sos durimi, por asnjë shenjë...
Së fundi, u nisa për në Durrës... I gjeta në kafazet e Bimit... Ata m’u ulën mbi sup, filluan të më guisnin sikur diçka donin të më thoshnin. Unë e kuptoja gjuhën e tyre, por nuk u përgjigja. Mbajta një qëndrim inatçor. Ishin çifti që i patëm ushqyer unë dhe Xhorxua. Më dukeshin si njerëz që nuk na kishin respektuar, si njerëz mosmirënjohës. Si të justifikohesha tek Xhorxhua?!...
Mes këtij shqetësimi, më lindi një ide interesante; mora një kaçile të vogël, e mbusha me pambuk, shkova te kafazët e Bimit, i vura syrin një çifti të bukur, mora dy kokrra vezë dhe me kujdes i futa në kaçile. Pa u vonuar, i hipa avionit për në Rimini dhe për disa orë u gjenda në Lido Adriano.
Me Xhorxhon nuk folëm shumë. Nuk thamë asgjë për pëllumbat e humbur. I tregova kaçilen me vezë. Kaq duhej dhe ai më kuptoi.
Më buzëqeshi dhe foli:
- Kështu, po. Nuk kanë për të ikur më...
Vezët i futëm në kafazin e një çifti tjetër. Mbas 18 ditësh dolën një çift zogjsh me ca pendë të shndritshme sikur të ishin dy zogj palloi. Xhorxhua ishte kënaqur jashtë mase dhe herë pas here më fliste mua me ngasje, ndjehej sikur kishte triumfuar...
Kaluan muaj. Një ditë e gjetëm të boshatisur kafazin e tyre. Unë dhe Xhorxhua vështruam njëri-tjetrin. Nuk dija ç’të thosha dhe në mënyrë të pavetëdijshme bëra ca veprime të pakontrolluara. Shkova tek baranga ime dhe mora aparatin fotografik që e mbaj akoma. Nisa të fotografoj kafazet e pëllumbave, shtëpinë, oborrin, traktorin, motokorrësen, hardhinë dhe gjithçka tjetër. Mundohesha të mos harroja asgjë. Më kishte hipur një dëshirë për të mbledhur kujtimet, pa harruar asgjë, dhe nën nxitjen e këtij impresioni, i thashë Xhorxhos se me avionin e parë do të nisesha për në Shqipëri...
Me të mbërritur në Durrës, shkova të takoja Bimin, rritësin e famshëm të pëllumbave. Doja të verifikoja faktin e zhdukjes së çiftit të lindur e të rritur në Itali...
Sipër meje nisën vallëzimin, guisnin e guisnin, zunë të më godisnin me sqep dy pëllumba me pendë palloi. Ishte po ai çift, pëllumbat që më kishin humbur në Itali... Dy pëllumba të lindur prej vezëve të ngrohura në Lido Adriano të Ravenës, të ushqyer e të rritur po aty...
Pëllumbat lodronin e lodronin me mua si të ishin dy qenie të vogla njerëzore, si të donin të më kërkonin ndjesë që më kishin braktisur aq papritur aty në dheun e huaj... Guisnin e guisnin sikur donin të më shfajësoheshin që t’i falja për hatër të Durrësit, vendlindjes së të parëve të tyre...
Në çast i mirëkuptova dhe buzëqesha. E mora mesazhin. Si prej dy pëllumbave postierë...
I telefonova Xhorxhos. E ftova që të vinte në Shqipëri. E binda që të vinte. Ne ishim bërë miq prej kohësh dhe ai duhet ta njihte atdheun tim...
Dhe Xhorxhua erdhi... Dhe u mirëkuptuam pa fjalë për atë largim të papritur...
Sot unë kam një biznes të vogël në Durrës... Ne e ruajmë miqësinë, në gëzime e hidhërime i jemi pranë njëri-tjetrit... Secili në atdheun e vet...