Tuesday, July 21, 2009

Tuesday, March 3, 2009

Ç’është Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”?!

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”
(Komuniteti Kulturor i Çamërisë) është një OJQ shqiptare, me qendër në Tiranë, e themeluar nga një grup gazetarësh, shkrimtarësh, artistësh e intelektualësh, miq e dashamirë të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri, e cila synon madhështimin e kësaj figure të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste dhe lartësimin e vlerave të kulturës sonë kombëtare përballë vlerave të qytetërimeve të përparuara botërore, veçanërisht ato të Çamërisë martire.

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” është themeluar në vitin 1993 dhe e miratuar ligjërisht më 1994 si institucion kulturor i specializuar shumëfunksional në vazhdën e zgjerimit të veprimtarisë së shtëpisë botuese “Bilal Xhaferri”, e cila ishte krijuar që në vitin 1991 prej shkrimtarit Shefki Hysa, si një nga entet e para botuese të periudhës postkomuniste me synim për të përzgjedhur e publikuar vlerat më të spikatura të letërsisë botërore, të letërsisë disidente shqiptare dhe të krijimtarisë së talenteve të reja që janë të rrezikuara të humbasin në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut.

Bumi i botimeve të kësaj shtëpie botuese si dhe jehona e madhe e veprimtarisë së saj në ato vite, krijoi idenë se duhej themeluar një institucion me hapësira e fushëveprim ligjor më të mëdha se ato të një enti të thjeshtë botues. Pra, dilte si domosdoshmëri krijimi i një organizmi kulturor shumëfunksional më dinjitar, një organizatë jofitimprurëse që të përfshinte edhe fushën e botimeve dhe njëkohësisht të kishte mundësitë e bashkëveprimit me institucione qeveritare e joqeveritare në të gjitha këndvështrimet e jetës, brenda dhe jashtë vendit…

Një grup veprimtarësh çamë së bashku me miqtë e tyre në krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe në Diasporë, diskutuan gjatë me intelektualët më të mirë të Komunitetit Kulturor të Çamërisë dhe në bashkëpunim me shumë e shumë shkrimtarë, artistë e intelektualë të tjerë shqiptarë, miq e dashamirë të Bilal Xhaferrit e të Çështjes Çame, vendosëm të krijonin një shoqatë kulturore, që të kishte përveç shtëpisë botuese, edhe shtypin e saj. Pra, duhej të krijonin një organizatë jo qeveritare si Lidhja Çame që kishte krijuar Bilal Xhaferri në Çikago, SHBA apo diçka të përafërt me shoqatën “Çamëria”, por që të prirej më shumë drejt kulturës çame, sesa t’i kushtohej politikës.

Si rezultat i bashkëpunimit gjatë viteve 1993 e 1994 u themelua dhe forcua Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, si institucion i specializuar që do ta zgjeronte veprimtarinë kulturore tej kufijve të Shqipërisë, në Kosovë e Maqedoni e gjer në SHBA për të bashkërenduar punën me Lidhjen Çame, Lidhjen Kosovare, Lidhjen Demokratike të Malit të Zi, Lidhjen e Shqiptarëve të Maqedonisë e me shumë organizata të tjera që vepronin në kontinentin amerikan. Shoqata do të ishte një zë i fuqishëm për mbështetjen e problemit çam dhe për zgjidhjen e tij në rrugë diplomatike... Pra, këtyre nismëtarëve u duhej të bëheshin nga pak diplomatë, si gjithë shkrimtarët e artistët që vetvetiu marrin rolin e ambasadorëve të kulturës së vendit të tyre… Donin s’donin, do të bëheshin misionarë të kulturës shqiptare, diplomatë të saj…

Po cilët ishin disa prej miqve që u bashkuan në tryezën e kësaj shoqate dhe që e ndihmuan me zemër shqiptari idealin çam?!… Midis tyre u shquan edhe intelektualë të mirënjohur si: Namik Mane, Pandeli Koçi, Pjetër Arbnori, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ballkiz Halili, Dhori Karaj, Faik Teodori, Fatos M. Rrapaj, Hektor Sejko, Hekuran Halili, Namik Selmani, Martin Mato, Minella Kureta, Sokol Jakova, Vath Koreshi, Axhem Çapo, Balil Proda, Bujar Shurdhi, Qani Biraçi, Xhemil Lato e sa e sa të tjerë, jo vetëm çamë…

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” shumë shpejt u shtri jo vetëm në zonat e komunitetit çam, por edhe në rrethet kryesore të Shqipërisë, kudo që ndodheshin miqtë e veprës e të idealit të Bilal Xhaferrit… Krijoi marrëdhënie shumë të mira me strukturat e shtetit shqiptar, me politikanë të të gjithë spektrit politik, me të pozitës e opozitës, me më të vjetrit e më të rinjtë si: Pjetër Arbnori, Sali Berisha, Ibrahim Rugova e Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Servet Pëllumbi e Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Fatmir Mediu, Namik Dokle e Arian Madhi, Edi Rama, Hashim Thaçi, Gramoz Ruçi, Bamir Topi, Besnik Mustafaj e Neritan Ceka, Petro Koçi e Preç Zogaj, Ilir Meta, Pëllumb Xhufi e Sabri Hamiti, Makbule Çeço, Jozefina Topalli, Diana Çuli, Lajla Pernaska, Valentina Leskaj, Mimi Kodheli, Majlinda Bregu e sa e sa të tjerë.

Lidhjet e kësaj shoqate u shtrinë dhe u forcuan edhe me ambasada si ajo amerikane, italiane, gjermane, turke etj., apo me personalitete të diplomacisë e kulturës botërore si Hillari Clinton e Doris Pack, Miranda Vickers e James Pettifer, Marko Panela e Callenback, Dr. Haim Reitan, Amir Gilad etj.

Një brez poetësh, gazetarësh, intelektualësh e politikanësht të rinj të talentuar si Agim Mero, Alma Ahmeti, Bianka Bilali, Dylbere Dika, Florian Bulica, Fllanxa Veshi, Kadri Aliu, Kostaq Myrtaj, Ismail Murtaj, Leonora Bilali, Mina Çaushi, Rudina Hasa, Yllka Sulku, Xhulia Xhekaj e sa e sa të tjerë më vonë e më vonë, do të bëheshin ndër vite armata e madhe e luftëtarëve të idealit çam që synonte kjo shoqatë…

Revista “Krahu i shqiponjës”, e themeluar prej Bilal Xhaferrit në SHBA u bë organi që pasqyroi dhe vazhdon të pasqyrojë tërë veprimtarinë e kësaj organizate atdhetare.

Pikësynimi i saj kryesor ishte dhe mbetet madhështimi i figurës së Bilal Xhaferrit dhe i vlerave të kulturës çame e asaj shqiptare përkrah vlerave më të mira botërore... Që të realizohej ky synim, u caktua objektivi më i afërt: Rikthimi i eshtrave të Bilal Xhaferrit në Shqipëri që u realizua më 6 maj 1995 me kontributin e shtetit shqiptar dhe të shkrimtarit Shefki Hysa, kryetar i kësaj shoqate…

Dhe filloi kështu një bashkëpunim i gjatë e lodhës me të gjitha organizmat qeveritare e joqeveritare, derisa u bë e mundur që eshtrat e Bilal Xhaferrit të vinin në atdhe e të preheshin në Sarandë dhe të arriheshin edhe shumë synime të tjera në dobi të kultures shqiptare dhe të zgjidhjes përfundimtare të problemit çam…

Marrë nga libri “Diplomacia e vetëmohimit”
e shkrimtarit Shefki Hysa,
Tiranë, 2008
Shtëpia botuese me emrin e Bilal Xhaferrit

Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” është një nga entet e para botuese shqiptare të periudhës postkomuniste me synim për të përzgjedhur e publikuar vlerat më të spikatura të letërsisë botërore, të letërsisë disidente shqiptare dhe të krijimtarisë së talenteve të reja që janë të rrezikuara të humbasin në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut.

Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” u krijua si rezultat i mendimit se kultura, arti, letërsia dhe figurat që i përfaqësojnë, me vlerat e tyre, janë ambasadorët dhe diplomatët më bindës e më rezultativë për paraqitjen dinjitoze të një kombi përballë kombeve të tjera të qytetëruara. Më 27 janar 1992 doli leja nga Ministria e Kulturës për themelimin e këtij enti botues. Ministër aso kohe ishte shkrimtari Vath Koreshi, një ndër përkrahësit e nxitësit e fillimeve letrare të talentit Bilal Xhaferri. Vathi e firmosi gjithë entuziazëm lejen për veprimtari botuese dhe premtoi se do të jepte vazhdimisht përkrahjen e tij dhe të shumë prej miqve të Bilalit.

Atëherë ishte një periudhë kur vepra e Bilal Xhaferrit ishte e harruar. Vlerat e tij ishin të mohura prej ish-diktaturës komuniste. Ishte detyrë e intelektualëve çamë si Shefki Hysa që të përpiqeshin për lartësimin e veprës së Bilalit dhe të thesareve të folklorit dhe kulturës çame, vlera të mëdha të nëpërkëmbura që ende nuk i njihte publiku shqiptar. Nëpërmjet figurës së Bilal Xhaferrit, talent i jashtëzakonshëm që kishte shkëlqyer si një yll në horizontin e letërisë shqiptare në vitet ‘60 dhe që ishte shuar befas prej goditjes fatale që mori prej ish-diktaturës komuniste, mund të shpaloseshin para shqiptarëve dhe botës së qytetëruar, perlat e mrekullueshme të eposit popullor çam. Duke njohur këto vlera të mahnitshme të Çamërisë, shqiptarët dhe tërë dashamirët e huaj do të zgjonin interesimin dhe do të dashuroheshin pas çështjes çame, si pas një institucioni besimi të rrallë e të shenjtë që u përkiste edhe atyre.
Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” në sajë të aftësive, përkushtimit të madh dhe lidhjeve të shumta me politikën shqiptare e atë ndërkombëtare të shkrimtarit Shefki Hysa, u rrit shpejt dhe po përjetonte dita-ditës një bum botimesh të veprave të zgjedhura nga letërsia botërore, të librave të shkrimtarëve ish të përndjekur politikë si Pjetër Arbnori dhe veçanërisht të talenteve të reja.

Stafi i saj bënte të gjitha përpjekjet që djemtë dhe vajzat e reja plot talent, jo vetëm të
Komunitetit Çam, të gjenin vetveten në shtëpinë botuese “Bilal Xhaferri”, të afirmoheshin e të mos pësonin fatin e dikurshëm të Bilalit, në periudhën e vështirë të tranzicionit të egër kapitalist që po përjetonte Shqipëria. Në vitet e para të periudhës postkomuniste ishte e vështirë të gjeje mjete monetare për botime librash dhe talentet e reja shihnin një strehë ëndrrash tek ky ent botues, pjesë përbërëse e institucionit Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”…

Në vitin 1993 u arrit të botohej edhe romani “Krastakraus” i Bilal Xhaferrit. Ishte një nga veprat më të realizuara artistikisht me temën dhe problematikën e etnisë shqiptare aq të parapëlqyer prej këtij autori. Botimi u mundësua edhe me ndihmën e intelektuales çame Ballkiz Halili, e cila e kishte ruajtur të fshehur për vite me radhë një kopje të daktilografuar të këtij romani. Ky botim ishte një sukses i madh e i papritur . Më në fund po i paraqitej një vepër nga më dinjitozet opinionit shqiptar, jo thjesht figura e Bilalit, shkrimtarit disident të kacafytur dhëmbë për dhëmbë me ish-regjimin diktatorial shqiptar.

Numri i botimeve u rrit nga viti në vit dhe Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” luajti një rol të madh për kombëtarizimin e ndërkombëtarizimin e problemit çam tashmë në prag të zgjidhjes.

Ja disa nga botimet më të spikatura të këtij institucioni me vlera kombëtare:

“Dashuri fatale”, romancë (1992), Alfred de Musset.
“Dashuri e përgjakur (Përtej largësive)”, romancë (1992), Bilal Xhaferri
“Lavirja e denjë për respekt”, novela (1992), Jean Paul Sartre
“Kur dynden vikingët”, novelë (1992), Pjetër Arbnori
“Krisja e zemrës”, poezi (1992), Gjin Progni
“Turtullesha dhe djalli”, tregime (1992), Shefki Hysa
“Krastakraus (Ra Berati)”, roman (1993), Bilal Xhaferri
“Mos ma kujto vdekjen”, poezi (1993), Rudina Hasa
“Rebel”, poezi (1993), Shpëtim Roqi
“Nata e qiparisave të huaj”, ese (1994), Artur Spanjolli
“Bukuroshja me hijen”, romancë (1994), Pjetër Arbnori
“Robër të paqes”, roman (1994), Shefki Hysa
“Engjëll mëkatar”, poezi (1994), Mirela Rapi
“Dosjet e gjalla”, publicistikë (1995), Agim Musta
“Pjergulla e lotëve”, poezi (1995), Namik Mane
“Kali i përmallimit”, poezi (1996), Arshin Rexha
“Yjet e ëndrrave”, poezi (1996), Etleva Shahini,
“Vorbulla”, roman (1997), Pjetër Arbnori
“Parajsa e mallkuar”, roman (1997), Shefki Hysa
“Parajsa e shitur”, poezi (2002), Dylbere Dika
“Dhe dita vdes”, tregime (2003), Dylbere Dika
“Klithmë shpirti”, poezi (2004), Liri Hidërshaj
“Aromë Çamërie”, tregime (2004), Shefki Hysa
“Mrekullitë e rreme”, tregime (2005), Shefki Hysa
“Mëkim shpirtëror”, novelë (2005), Liri Hidërshaj
“Për pak lumturi”, poezi (2006), Venka Capa
“Rrëfimi”, novelë (2006), Liri Hidërshaj
“Dialog për paqen e pamundur”, publicistikë (2006), Hysen Haxhiaj
“Pikëllim familjar”, poezi (2006), Mina Çaushi
“Me putrat tona shetitëm botën”, roman (2007), Xhulia Xhekaj
“Dodona tempulli i lashtë i Shqipërisë”, artikuj studimorë (2007), Rasim Bebo
“Pendimi”, novelë (2007), Liri Hidërshaj
“Lotët e trëndafilit”, poezi (2008), Kostaq Myrtaj etj.,etj.

Monday, March 3, 2008

Nga Namik Mane

ÇAMËRISË

Këtë natë të ftohtë shkurti, 1)
U ngarkova:
Plot me farëza lirie
Dhe u nisa për tek ty,
Që të mbjell në tokën tënde,
Këto farëza, Çamëri.

Nga Kosova fishekzjarret
Dritë, ditë, ma bëjnë rrugën,
Ndaj dhe unë nuk njoh pengesa,
Shpejt e shpejt, po vij tek ty,
Moj dhimbshuria ime,
E pathinjura, Çamëri.

Më djeg gjoksi prej shumë vitesh
Nga një mall që s’ka përmasa…
Dhe në u thafshin oqeanet
Se nxëjnë dot këtë mallin tim,
Vetëm ti mund ta mbash brenda,
Në gjoksin tënd, moj Çamëri.

Hapi krahët, prite birin,
Po të vjen…
Do shkëmbejmë ne të dy,
Fjalë bese, këtë mbrëmje:
Do t’i mbush unë gjithë kullotat,
Plot e plot, me klumushtore,
Se të pjellat, do i kemi,
Shumë të mbara këtë vit,
Dil, moj Çamëri, më prit!

1). 17 shkurt 2008, dita e Pavarësisë së Kosovës.

Saturday, March 1, 2008

I treti
Tregim


Kthehesha rrugës së ngushtë të vreshtës. Ishte një mëngjes i mjegullt, i freskët, i lagët në të hyrë të pranverës. Shpejtoja hapat në rrugën e butë dhe tërë bar. Mbrëmë isha tek një mik dhe doja të mbërrija sa më parë në fshatin tim, që të arrija orarin e punës. Keni ecur ndonjëherë në mjegull kur vështrimi nuk arrin më larg se hapi yt? Dëshira të shtohet që të shohësh më shumë.

Me të tilla ndjenja po çaja vreshtën. Mbrëmë, unë, miku im dhe një i tretë të thuash se e gdhimë duke bërë një bisedë të imponuar, me optimizëm të shtirur. Ecja duke kujtuar fjalët tona.

- Sivjet rrushin e kemi të mbarë. Krasitjen ia kemi bërë të mirë dhe me kohë, - tha miku im.
- Krasitja është stoli, - i thashë unë.
- Stoli!? - u habit ai dhe vazhdoi:
- E dini çfarë thonë hardhitë? Punimet e tjera le të m’i bëjë kushdo, por krasitjen dua të ma bëjë pronari im.
- Ç’përgjigjeje, - tha i treti. - Kot nuk punon Bilali në sektorin e vreshtave.

Edhe mua përgjigjeja e tij m’u duk e saktë, por meqë nuk doja ta lëshoja veten dhe meqënëse nuk po e koptoja mirë gjendjen, vazhdova:

- Ama në dimër, ato vreshtat e tua janë të zymta, pa jetë dhe ngjajnë si drurë të thatë, të gjymtuar.
- Të zymta, pa jetë! - ma ktheu miku im. - Për mua edhe në dimër, hardhitë janë si ushtarë të radhitur, që presin të japin frutin e tyre.

Ai mbas pak hapi dritaren që shihte nga kodrat e vreshtave dhe lëshoi një mori fjalësh të tjera.

- Sa herë hap dritaren, qoftë dhe në dimmer, më deh aroma e Moskatit dhe Perlës.
- Ç’përgjigje, ç’kënaqësi të dëgjojsh këtë debat poetësh! - hovi i treti.

Fliste duke shprehur kënaqësinë me lëvizje gjymtyrësh.

I treti për mua qe krejt i panjohur. Ai hyri në dhomën e mikut tim dy, tre hapa mbas meje. Bëmë një prezantim të thatë: Ai ishte agronomi i sektorit dhe kaq. Nuk kërkuam të dinim më shumë për njëri tjetrin. Ndofta i treti mund të dinte diçka më tepër për mua. Ndërhyrja e tij lajkatare m’u duk e neveritshme, ndaj për t’ju larguar debatit, heshta, nisa të mendoj për vete dhe për mikun tim. Kisha shkuar atje atë mbrëmje për të fjetur tek miku dhe për të lexuar një dramë të porsakrijuar. "Kodra e perlave" titullohej drama. Ajo merrte shkas nga një ngjarje reale: Në rrugë, pranë parcelave me varjetetin e rrushit Perla, një djalë qëllon me pëllëmbë një vajzë. Miku im bënte qilizëm aty pranë. Me të parë atë skenë vrapoi dhe i foli me egërsi djalit.

- Është gruaja ime, - ia kishte kthyer edhe tjetri me inat.
- Edhe gruan tënde nuk do të lë ta qëllosh! - iu pat hakërruar miku im.

Kështu nis drama: Dy të rinjtë ishin të sapomartuar. Rridhnin nga një familje e deklasuar dhe qenë të internuar në sektorin Hamalle. Kështu kishin të njëjtin fat si unë dhe miku im. Një jetë të rënduar dhe brenga, me skena dhe prapaskena të ndryshme.

"Eja trishtim, o prehri i ëmbël, që nuk më braktise kurrë, o strehë e qetësisë sime," pat shkruar në një vjershë para disa ditësh miku.

Dhe po të nesërmen e asaj dite pata shkruar unë:

"Plagë kemi duart, plagë kemi zemrat dhe nata ka fshehur në ferrin e saj gjithë ëndrrat."
Kështu, me krijime të tilla, ushqenim njëri tjetrin.

Po tani?! Ç’tjetërsim?! Sikur nuk ishim ne, por dy njerëz të tjerë, me zemra dhe vështrime të ndryshme dhe ç’broçkulla i servirnim njëri tjetrit.

"Sa here hap dritaren më deh aroma e Moskatit dhe Perlës." Sa larg realitetit! Përballë dhomës së mikut tim, në një haur punonte Andoni, këpucari i sektorit. Shallëra, lecka, çizme, këpucë të vjetra gjëndeshin në atë haurin e tij. Doemos, kurrë nuk mund t’i shpëtojë dot asaj grahme erëvjellëse.

Ecja nëpër mjegull. Kalova parcelën me rrushin e varjatetit Perla. Flisja me vete. I treti ishte futur mes nesh si pykë dhe unë s’dija ç’të bëja: Ta nxirrja nga dhoma me shkelma? Pashë orën. Ishte njëmëdhjetë e natës. Më mirë fli, i thashë vetes, sesa të krijosh situata të tilla. Me të menduar kështu, u ngrita, mora dy batanije dhe me një ton inatçor:

- Dua të flë, - ngrita zërin.

U shtriva në një minder, duke e larguar pak mikun. Ndofta i treti ka cipë dhe largohet, më erdhi në mëndje. I treti nuk bëri as më të voglën lëvizje.

Unë përsëri ngrita zërin:
- Bilal, kam porosi të veçantë, nga Skënderi, në mëngjes mos harro të më japësh belin amerikan, mjaft ke punuar me të. Tani, natën e mirë, ju po deshët gdhijeni, - shtova pa e fshehur inatin.

Ende pa mbaruar unë, u dëgjua një zë gruaje dhe dera u hap. Një afro tridhjetë vjeçare, një grua bjonde, e bukur, tepër e bukur, u fut në dhomë.
-Mirëmbrëma! – përshëndeti ëmbël ajo.

Unë u ngrita gjysmëtrupi, s’dija ç’qëndrim të mbaja, thashë ashtu, jo pa një lloj drithërime:
- Mirëmbrëma!

Po gruaja të thuash s’më vuri re fare dhe krenare, mospërfillëse për ne, iu drejtua të shoqit:
- Sonde, këtu do të flesh?! Këtu nuk ka edhe vend.

Mua, të them të drejtën, seç më ngjalli një lloj pezmi pavëmendja e asaj bukurosheje, që se nga kishte mbirë ashtu kryeneçe, gati e paarritshme si një xhinde nate.
- Jo, moj e mirë, - ia ktheu i treti. - A mund të ndahesh kaq lehtë nga kjo shoqëri poetësh?

Ai lëvizi nga vendi, iu afrua bjondes dhe, si me përkëdheli, mu pranë veshit të saj, diç foli.

Miku im, duke përfituar nga rasti, ktheu fytyrën nga unë dhe me fjalë buzësh:
- Është spiun! - më tha. - Ki kujdes!

Këto përsërisja me mendje, teksa ecja nëpër mjegull. Zbrita kodrën e Perlatit. Fshati im, Hamalle, dukej dhe zhdukej. Në sup mbaja belin amerikan, që do t’ia çoja tim vëllai. Me të kishte bërë qilizëm afro një muaj miku im. E ka dyzetë centimetër të gjatë metalin beli dhe, ai që ka bërë qilizëm me të, ia di mirë vlerat, mendoja.

Teksa vazhdoja të ecja nëpër mjegull më bëhej se më ndiqte herë hija e frikshme e të tretit dhe herë imazhi ëmbëlsisht i pashqitshëm i bjondes së mesnatës.

Namik Mane
GREKJA
Tregim


Çdo ditë, pasi kthehem nga puna, shkoj drejt e në mencë dhe, pasi ha diçka, të mbetur nga dreka, shtrihem një orë në dhomë, ku për rastësi unë rri i vetëm. Më pas dal shëtitje nëpër qytetin e vogël dhe ndalem në të vetmen lulishte. Atje pres të shikoj si ulet mbrëmja. Pres gjatë derisa vështrimi im nuk i dallon më siluetat e njerëzve. Atëherë kujtohem e kthehem sërish në dhomë…
Unë punoj në një ekspeditë gjeologjike larg shtëpisë, fle në një barakë afër stacionit të trenit dhe çdo çast më ngacmojnë nervat zhurmat e lokomotivave dhe vagonave. Ndofta kjo është arsyeja që mua më është bërë shprehi vetmimi.

Në shtëpi shkoj vetëm të dielave. Më presin të malluar nëna e vëllezërit, por edhe të vrarë shpirtërisht prej shqetësimeve të mia. Unë jam teknik shpimi… Në qytetin tim nuk ka të tilla punë, ndryshe nuk do të qëndroja këtu… Dhe gati sa s’plas nga vetmia…

"Përse nuk shkon ndonjë natë tek Nuredini, të thyesh mërzinë… E kemi kushëri dhe është njeri që nuk bezdiset. Me këtë veprim që bën ti, na largon nga miqtë. Që ta dish, më ka thënë se i ka mbetur ca hatri nga ty", - më tha një ditë vëllai…

Sapo kisha dalë nga lulishtja ndjeva një dorë që më kapi për krahu:
- Ja, së fundi të gjeta, sonte nuk ke si të më shpëtosh!

I njoha zërin… Ishte Nuredini… U përqafuam… Ende pa mbaruar përshëndetjen, nisa të justifikohem…

- Mos e zgjat! - ma preu. - Je më i vogël dhe ta kam falur.

Vetkuptohet, propozimin për të shkuar në shtëpinë e tij nuk e kundërshtova, por i thashë se më parë duhet të lajmëroja shokët që të mos më prisnin në mëngjes, pasi do të shkoja vetë në vendin e punës... Ashtu bëmë.

Me të shkuar në shtëpinë e Nuredinit u ngjitëm drejt e në verandën e katit të dytë, me vështrimin nga rruga. Ai nisi të fliste këndshëm dhe unë shpejt u ndjeva si në shtëpinë time… M'u kujtua vëllai… Përpara kishim gotat e rakisë dhe po i përpinim… Biseda sa vinte e bëhej më interesante… Bisedonim e qeshnim… Sikur jehonte e tërë shtëpia nga të qeshurat tona…

Befas u shfaq djali i Nuredinit, Avduli.
- Ka ardhur grekja, - tha ai.
- Pse nuk e ngjite sipër? - pyeti Nuredini.
- I thamë, por kundërshtoi, - ia ktheu djali.

Nuredini më kërkoi leje dhe zbriti poshtë… Unë mbeta vetëm… S’di se si, por një ndjenjë përbuzje më lindi për të porsardhurën… Ndofta fjala "grekia" pati fuqinë të më zgjojë përfytyrime të mbrapshta… Cinike… Ndofta rakia m'i ngatërronte paksa mendimet… M'u kujtuan përpjekjet e mia të shumta në Ambasadën Greke, në Tiranë, për të marrë vizë.

Minoritarët i merrnin vizat brënda javës dhe kalonin para nesh kokëlartë, duke na vështruar me shpërfillje. E mbanin veten për njerëz të zgjedhur, njerëz fatlumë... Pikërisht kjo mënyrë të vepruari hidhte copa akulli në zemrën dhe ftohte ndjenjat e miqësisë (unë kam disa shokë minoritarë)… Ndofta ardhja e saj në këtë moment, më prishi kënaqësinë e mbrëmjes... Pak më parë, pata shkuar në mëndje, se, në e mbajti Nuredini rakinë do e gdhinim dhe ja, ardhja e saj m'i prishi të gjitha…

Fjala "grekja", zgjoi tek unë edhe përfytyrime të tjera… M'u kujtuan masakrat, që iu bënë popullit çam… M'u kujtuan…

Rakinë nuk e preka më. E ndava mëndjen: "Nëse Nuredini kthehet së bashku me të, do të iki… Do iki tek dhoma ime e vogël… Atje, pranë stacionit të trenit…

Nuredini u kthye i shoqëruar nga "grekja". Unë u ngrita në këmbë. Zgjata dorën pa ia kthyer vështrimin. Rrija në këmbë si një njeri i harruar. Ajo e ndjeu qëndrimin tim.

- Ky është djali i Aliut, Nuredin? Ai për të cilin më fole më parë? - pyeti ajo me një çamërishte të kulluar.

Ndryshova menjëherë… M’u duk sikur dikush më qëlloi me pëllëmbë… Ngrita vështrimin. Vërejta një grua me një fytyrë të shëndetshme, veshur me një fusran të kaltër. Një gjerdan i florinjtë i harkonte qafën e bëshme. Mbi supe kishte hedhur një triko të bardhë si shkumë valësh. I buzëqesha, pa ditur si të veproja. Sofija (kështu quhej "grekja"), vazhdoi përsëri të flasë:

- Unë kam ardhur para disa ditësh nga Filiati. Babai im me babain tënd dhe të Nuredinit kanë qenë miq të ngushtë. Vërtet jemi të krishterë, por ama çamër jemi dhe ne… Në këto ditë të qëndrimit tim në Shqipëri, do të vij edhe në shtëpinë tënde, po ti kështu do më presësh?!

"E meritoja këtë goditje të dytë", - mërmërita dhe nisa të dënoja veten për të gjitha mendimet e mbrapshta që shkova në mëndje. Dhe në vend që t'i përgjigjesha me fjalë, zgjata dorën, mora shishen e rakisë, mbusha një gotë për Sofijen dhe e ftova të coknim gotat… Veproja sikur të isha unë i zoti i shtëpisë… Këto veprime i bëra në këmbë. Më pas u ulëm. E çfarë bisedash dhe ç'mall kemi zbrazur asaj nate. Vetëm ne e dimë, vetëm ne…

Namik Mane